Kujdesi me bazë familjen të mbizotërojë ndaj Kujdesit Rezidencial

Written by on April 26, 2017

Për të sjellë në vëmendje të vecantë rëndësinë e parandalimit të institucionalizimit të fëmijëve dhe deinstitucionalizimin si dhe ngritjen e shërbimeve cilesore të kujdestarisë alternative për fëmijët u zhvillua sot Konferenca Kombëtare “Shërbime Alternative Cilësore për Fëmijët pa Kujdes Prindëror në Shqipëri” e organizuar nga Save the Children në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe të Rinisë.

Pjesëmarrës kryesor në këtë konferencë ishin Znj.Olta Xhacka, Ministre e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Znj. Voltana Ademi, Kryetare e Bashkisë Shkodër, Znj. Antonela Scolamiero, Drejtuese e UNICEF në Shqipëri, Znj Jumanah Zabaneh, Perfaqesuese e zyres se Save the Children ne EuroAzise, Znj. Anila Meco, Drejtore e Save the Children, drejtues institucionesh qendrore dhe lokale dhe ekspertë të shërbimeve sociale si dhe specialistë që I ofrojne këto shërbime për fëmijë dhe familjet e tyre.

Në Shqipëri, numri total i fëmijëve që jetojnë në qendrat rezidenciale është 846, prej të cilëve 285 janë fëmijë me aftësi të kufizuara dhe 561 janë fëmijë të tjerë. Shumica e fëmijëve që jetojnë në këto qendra vijnë nga familje me probleme ekonomike dhe sociale.
Studimet, e ndërmarra në dekaden e fundit në rajon dhe Shqipëri, mbi efektet e institucionalizimit tek fëmijët evidentojnë se të gjithë fëmijët që rriten jashtë kujdesit të familjes së tyre janë në rrezik të lartë të dëmtimit fizik, emocional dhe intelektual.

Konferenca Kombëtare kërkoi të sjellë në vëmendje të të gjitha institucioneve qendrore, lokale dhe ofruesve të shërbimeve si dhe organizatave të shoqërisë civile:
-Domosdoshmërinë për plane konkrete që garantojnë të drejtën e fëmijës për të jetuar në një familje, në familjen e tij biologjike apo, në pamundësi të saj, në një familje zëvendësuese kujdestare apo birësuese. –Nevojën e menjëhershme të ofrimit të shërbimeve cilësore alternative për fëmijët pa kujdes prindëror duke i dhënë prioritetin e duhur, përsa kohë qindra fëmijë janë jashtë një ambjenti familjar të sigurt e të mbrojtur dhe në rrezik të lartë për tu bërë subjekt i dhunës dhe abuzimit.

Konferenca synon të përbëj një moment reflektimi mbi aktualizimin e prioriteteve dhe politikave në plane konkrete duke evidentuar sfidat dhe ofruar zgjidhje reale si dhe për të forcuar bashkëpunimin dhe partneritetin mes nivelit qendror dhe lokal.

Të gjitha rekomandimet dhe konkluzionet e konferencës, që do të dalin nga grupet e punës, të përbërë nga profesionistë të fushës dhe ofrues shërbimesh, të cilët do të trajtojnë të gjitha aspektet që lidhen me realizimin e të drejtës së fëmijës për të jetuar në një ambjent familjar, do ti shërbejnë përmirësimit të politikave dhe planeve kombëtare të mbrojtjes dhe përkujdesjes ndaj fëmijëve.


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Continue reading

[There are no radio stations in the database]